Autori i emisionit “Debat Plus”, Ermal Panduri, ka publikuar detaje të reja lidhur me rastin e spiunazhit ndaj Jelena Gjukanoviq, duke paraqitur komunikime që, sipas tij, dëshmojnë për bashkëpunimin e saj me Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA).
Gjatë emisionit, Panduri ka deklaruar se materialet janë siguruar nga burime brenda sistemit të drejtësisë dhe lidhen me hetimet ndaj të akuzuarës, e cila më herët ka punuar në misionin e OSBE-së në Kosovë.
Sipas dokumenteve të publikuara, Gjukanoviq dyshohet se ka mbajtur komunikim të vazhdueshëm me Aleksandar Vllajiq, tashmë i dënuar për spiunazh dhe i cilësuar si agjent rezident i BIA-s, të cilit i raportonte për zhvillime të ndryshme në Kosovë.
Në një nga komunikimet e paraqitura, ajo raportohet se ka diskutuar për aktivisten serbe Milica Andriq-Rakiq, duke e cilësuar si “të rrezikshme” për shkak të kontakteve të saj me shqiptarë dhe aktivitetit në organizata joqeveritare. Mesazhet e publikuara përmbajnë vlerësime dhe informacione për lëvizjet dhe angazhimet e aktivistëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.
Në përgjigjet e tij, Vllajiq dyshohet se ka konfirmuar se disa prej këtyre personave ishin nën vëzhgim dhe se, sipas komunikimeve, BIA kishte siguruar qasje në të dhëna të tyre elektronike.
Gjukanoviq, sipas materialeve të publikuara, ka raportuar gjithashtu për vizitën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në veri të Kosovës, duke pretenduar për mobilizim të serbëve nga Serbia. Ajo dyshohet se ka informuar edhe për aktivitete të organizatave ndërkombëtare dhe figurave të ndryshme politike e shoqërore në Kosovë.
Në një pjesë tjetër të komunikimeve, Gjukanoviq përmendet se ka raportuar edhe për zyrtarë dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare, përfshirë OSBE-në, duke bërë komente për funksionarë të saj dhe aktivitetin e tyre në Kosovë.
Sipas të dhënave të bëra publike, i përfshirë në këtë rast është edhe Aleksandar Vllajiq, i cili më herët është arrestuar nga organet e sigurisë dhe ka pranuar fajësinë në gjykatë, duke u dënuar me pesë vjet burgim.
Ndërkohë, në seancën e fundit gjyqësore, Prokuroria Speciale ka kërkuar dënim prej 25 vitesh burgim për Gjukanoviq, e cila akuzohet për bartje të informacioneve të ndjeshme te struktura të BIA-s serbe.
Trupi gjykues pritet të shpallë aktgjykimin për këtë rast gjatë javës së ardhshme.

