Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Aleanca po i ndjek nga afër zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe situatën në Kosovë, duke theksuar se pret ende llogaridhënie nga Beogradi për ngjarjet e vitit 2023 në Banjskë.
Në një konferencë për media në selinë e NATO-s në Bruksel, para takimit të ministrave të Mbrojtjes që do të mbahet më 12 shkurt, Rutte tha se është në kontakt të vazhdueshëm me presidentin e Serbisë dhe se çështja e Banjskës mbetet e hapur.
“Unë vetë, por edhe si aleancë, jam në kontakt të ngushtë me presidentin serb. Ne ende po presim llogaridhënien e tij për atë që ndodhi në vitin 2023 në Banjska dhe ngjarjet e tjera gjatë atij viti. Nuk ka shumë gjëra të reja për të raportuar, por ne i ndjekim zhvillimet nga afër”, deklaroi Rutte.
Ai theksoi se përmes misionit paqeruajtës KFOR dhe angazhimeve të tjera në rajon, NATO mbetet thellësisht e përfshirë në ruajtjen e stabilitetit.
“Përmes KFOR-it dhe aktiviteteve të tjera të Aleancës në Ballkanin Perëndimor, në Bosnjë dhe Hercegovinë, por edhe në Kosovë, ne jemi shumë të angazhuar dhe i ndjekim gjërat nga afër”, u shpreh ai.
Rutte bëri të ditur se pesë vende anëtare të NATO-s nga Ballkani Perëndimor – Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Sllovenia dhe Kroacia – informojnë rregullisht Aleancën për zhvillimet në rajon.
Po ashtu, ai theksoi se NATO nuk do të lejojë krijimin e një vakumi sigurie në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke shtuar se situata atje po monitorohet me kujdes.
Të enjten, më 12 shkurt, ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare do të mblidhen në selinë e NATO-s në Bruksel në kuadër të takimit të radhës ministror, i cili do të drejtohet nga vetë Sekretari i Përgjithshëm, Mark Rutte.
Një zyrtar i NATO-s ka theksuar se Ballkani Perëndimor mbetet rajon me rëndësi strategjike për Aleancën./Gardiani.

