Qendra Humanitare Serbo-Ruse në Nish, e krijuar në vitin 2012, vazhdon të jetë objekt i kritikave dhe shqetësimeve ndërkombëtare për shkak të mungesës së transparencës mbi financimin dhe aktivitetet e saj.
Autoritetet serbe nuk kanë ofruar informacion të detajuar se sa fonde publike janë transferuar në Qendër, ndërsa vetë institucioni dhe Ambasada Ruse në Beograd nuk janë përgjigjur pyetjeve të mediave.
Sipas listës së përfituesve të buxhetit shtetëror për vitin 2025, e publikuar nga Drejtoria e Thesarit e Ministrisë së Financave të Serbisë, Qendra Serbo-Ruse është përfshirë mes institucioneve që marrin fonde nga buxheti i shtetit. Megjithatë, shuma e sakta e këtyre fondeve nuk dihet, pasi ministritë përkatëse kanë refuzuar t’i zbulojnë këto të dhëna.
Qendra, e vendosur pranë aeroportit të dytë më të madh të Serbisë në Nish, është përshkruar në Moskë si “më e rëndësishmja në Ballkan” për reagimin ndaj emergjencave dhe fatkeqësive natyrore. Megjithatë, vendet perëndimore dyshojnë se ajo mund të shërbejë si një bazë inteligjence ose ushtarake, për shkak të afërsisë së saj me një bazë të NATO-s në Kosovë.
Partitë opozitare serbe kanë kërkuar zyrtarisht mbylljen e Qendrës dhe ridrejtimin e fondeve drejt forcimit të kapaciteteve vendase të mbrojtjes civile dhe edukimit të qytetarëve. Në fund të dhjetorit 2025, disa deputetë pro-evropianë kërkuan në Parlament shfuqizimin e marrëveshjes ndërqeveritare midis Serbisë dhe Rusisë sipas së cilës u krijua Qendra. Vendimi për të futur këtë propozim në rendin e ditës i takon shumicës qeverisëse në Beograd.
Qendra ka hapur llogari në valutë të huaj dhe në dinar që përdoren për financimin e aktiviteteve të saj, por detajet për shumat e sakta mbeten të panjohura. Ajo ka marrë pjesë në reagime emergjente në Serbi, përfshirë zjarret e mëdha gjatë verës së kaluar dhe shpërndarjen e gjeneratorëve gjatë reshjeve të dendura të dëborës në fillim të vitit 2026.
Pjesëmarrësit në programet e trajnimit të Qendrës përfshijnë zjarrfikës dhe shpëtimtarë nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Sektori i Situatave të Emergjencave i Ministrisë së Brendshme të Serbisë. Instruktorët janë kryesisht nga akademia e Ministrisë së Mbrojtjes Civile të Rusisë, dhe aktivitetet përfshijnë stërvitje të mëdha edhe në Rusi dhe Bjellorusi.
Perëndimi, përfshirë SHBA-të dhe Bashkimin Evropian, ka shprehur shqetësim se Qendra mund të funksionojë si një degë e operacioneve të inteligjencës ruse dhe si përgjigje ndaj zgjerimit të BE-së dhe NATO-s në Ballkan. Zyrtari amerikan Hoyt Brian Yee paralajmëroi se një qendër e tillë mund të rrezikojë kontrollin e Serbisë mbi territorin e saj dhe të ndikojë negativisht në sigurinë rajonale.

