Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka kërkuar nga autoritetet në Serbi të përcaktojnë përgjegjësinë për sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe incidentin e Banjskës gjatë tensioneve në pranverën e vitit 2023.
“Kam një marrëdhënie personale me presidentin Vuçiq dhe e njohim njëri-tjetrin prej shumë vitesh. Por presim që ai të përcaktojë përgjegjësinë për ato ngjarje, dhe për dy çështje ai ka premtuar përcaktimin e plotë të përgjegjësisë”, tha Rutte gjatë fjalës së tij në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET).
Rutte konfirmoi gjithashtu mbështetjen e NATO-s për dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, dhe nënvizoi përkushtimin e aleancës ndaj sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Ai theksoi se NATO nuk do të lejojë krijimin e një vakumi të sigurisë në Bosnje dhe Hercegovinë.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur vitet e fundit, ndërsa incidenti më i rëndë u regjistrua shtatorin e vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Atje, një grup serbësh të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter, dhe në këmbimet e zjarrit u vranë tre sulmues serb.
Për këtë sulm, Millan Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë, ndërsa ndodhet aktualisht në Serbi dhe nuk është ndjekur penalisht.
Ngjarjeve të Banjskës u paraprinë protesta të dhunshme në veri të Kosovës në maj të po atij viti, ku mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it pësuan lëndime pas përleshjeve me protestues serbë në Zveçan.
Dhuna shpërtheu pas kundërshtimit të serbëve lokalë ndaj hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, pas zgjedhjeve lokale të bojkotuar nga serbët lokalë.
Autoritetet kosovare kanë arrestuar dhe akuzuar dhjetëra persona për ngjarjet në veri, disa prej të cilëve janë dënuar pas pranimit të fajësisë.
NATO-ja ka kërkuar që të gjithë përgjegjësit për sulmet ndaj KFOR-it dhe incidentin e Banjskës të përballen me drejtësinë.
Në përfundim, Rutte theksoi se përgjegjësia e Beogradit dhe respektimi i ligjit janë elementë kyç për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.
The Geo Post

